
Në Gjykatën Themelore të Pejës, sot do të nisë rigjykimi i një prej rasteve më tronditëse në rajonin e Pejës.
Vrasja e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit, në vitin 2021, i nxori përpara drejtësisë Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn.
Derisa në korrik të këtij viti pritej shpallja e aktgjykimit për tre të dyshuarit, trupi gjykues vendosi të çoje çështjen në rigjykim.
Pas seancës së 10 korrikut, avokati i familjes së të dëmtuarve, Arianit Koci, tha se është proceduar një provë e re, çka sipas tij ka ndikuar në rihapjen e hetimeve.
Sipas akuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj pasi ka marrë pushkën automatike AK-47, është nisur në këmbë deri tek vendi i ngjarjes dhe me të vërejtur dritat e autobusit, ka dalë në mes të rrugës i kthyer më shpinë nga automjeti dhe me qëllim që ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndalojë, ka bërë sikur është i dehur. Dhe kur shoferi fillimisht e ka sinjalizuar me drita të gjata e pastaj edhe ka ulur shpejtësinë, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj në distancë prej rreth 6 metrash ka marrë në shënjestër shoferin e autobusit, tani të ndjerin Gani Gjokaj dhe e ka goditur për vdekje, e po ashtu godet edhe dy nxënës L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare, si dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore F.T.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan zbulon përmasat e hetimeve të zhvilluara pas sulmit ndaj autobusit të kompanisë “Erblini”, duke përfshirë dhjetëra kontrolle, ekspertiza brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe intervistimin e një numri të madh personash.
Sipas dosjes së siguruar nga IndeksOnline, hetuesit dhe prokurorja e rastit kanë proceduar mbi 86 persona, ndërsa vetëm natën e sulmit dhe gjatë ditëve në vijim janë trajtuar dhjetëra informacione operative dhe mbi njëqind pista hetimore.