
Mesfushori i Barcelonës, Gavi, raportohet se ka marrë vendimin përfundimtar sa i përket mundësisë për t’u transferuar te Manchester United këtë verë.
22-vjeçari humbi një pjesë të konsiderueshme të sezonit 2025/26 për shkak të një dëmtimi në gju, për të cilin iu nënshtrua një operacioni në tetor.
Ai u rikthye në mars dhe luajti një rol të rëndësishëm në pjesën përfundimtare të sezonit të Barcelonës, duke ndihmuar ekipin të fitonte titullin e La Ligës. Më pas, Gavi u përfshi në skuadrën e Spanjës që fitoi Kupën e Botës.
Megjithatë, minutat e tij në Botëror ishin të kufizuara, pasi luajti vetëm pesë minuta si zëvendësues në fazën e grupeve kundër Austrisë. Në finalen e fituar 1-0 ndaj Argjentinës, ai qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes.
Mesfushori nuk ka luajtur gjatë fazës përgatitore të Barcelonës, pasi iu dha pushimi i detyrueshëm pas turneut. Kjo ka nxitur spekulime për një largim të mundshëm të tij nga klubi katalanas.
Gavi më herët ishte lidhur edhe me Liverpoolin, që besohet se po shqyrton gjithashtu mundësinë për të përforcuar mesfushën me një tjetër lojtar.
Megjithatë, Daily Mirror raporton se, pasi ka marrë vesh për interesimin e Manchester Unitedit, Gavi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të transferohet në “Old Trafford”.
Nga Lautaro te Gyokeres: Barcelona po shqyrton shtatë emra për ta përforcuar fazën e sulmit
Ndërkohë, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, besohet se është “ngurrues” për ta humbur 22-vjeçarin, i cili ende po punon për t’u rikthyer në formën e tij të plotë pas një sërë problemesh me dëmtimet.
Gavi pësoi edhe një dëmtim të ligamentit ACL në vitin 2023, nga i cili iu deshën 346 ditë për t’u rikuperuar.
Mesfushori spanjoll e ka vlerësuar më parë punën e Flickut gjatë rikthimit të tij, duke deklaruar se është shumë mirënjohës ndaj trajnerit gjerman./Telegrafi/