
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, që sot, të enjten, më 20 gusht, në orën 11:00, të thërrasë vazhdimin e seancës.
Deputetët e PDK-së ia kanë përcjellë kërkesën Deharit përmes një letre, duke argumentuar se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar, sipas tyre, një situatë të rëndë institucionale dhe kushtetuese.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e PDK-së.
Kjo nuk është hera e parë që PDK-ja kërkon vazhdimin e seancës. Megjithatë, Avni Dehari ka deklaruar se nuk do ta thërrasë vazhdimin pa një marrëveshje paraprake mes subjekteve politike për çështjen e presidentit.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë, ku kërkojnë zhbllokimin e situatës institucionale dhe lejimin e vazhdimit të seancës konstituive.
Aksionit të tyre u janë bashkuar edhe prodhues vendorë, të cilët kanë shprehur shqetësimin se bllokada politike po ndikon drejtpërdrejt në bizneset dhe ekonominë e vendit.
Në emër të prodhuesve, Abedin Ramadani ka kërkuar që institucionet të funksionalizohen, duke paralajmëruar se zgjatja e krizës politike mund të ketë pasoja për prodhuesit vendorë.
Ndërkohë, deputetja dhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kuvendi u takon qytetarëve dhe se aty duhet të diskutohen problemet me të cilat përballen qytetarët, fermerët, bizneset dhe punëtorët.