
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.K., lidhur me vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar.
A.K. dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur gjatë punës për transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, ku viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda, të cilat kanë rezultuar fatale.
Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në vdekjen e punëtorit.
“Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, është ndaluar një (1) person me inicialet A.K., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i rastit do t’i shqyrtojë provat dhe rrethanat e mbledhura gjatë hetimit dhe, brenda afatit ligjor, do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e kërkesës për caktimin e një mase sigurie ndaj të dyshuarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përgjegjësisë eventuale penale janë duke vazhduar.