
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës disa-mujore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Irani ndodhet në një pozitë të favorshme.
“Është më mirë që ta përfundojmë luftën tani, pasi jemi në një pozicion pushteti dhe dinjiteti”, tha Pezeshkian, raportojnë mediat e huaja.
Deklarata e presidentit iranian për përfundimin e konfliktit vjen në një kohë kur shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit ka paralajmëruar se çdo “kërcënim i ri” do të përballej me një përgjigje “shkatërruese”, raportoi agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr.
Ndërkohë, Teherani ka akuzuar Uashingtonin për “terrorizëm ekonomik”, pas paralajmërimeve për zgjerimin e sanksioneve ndaj Iranit.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje edhe vendeve të tjera, përfshirë Kinën, që t’i bashkohen përpjekjeve për të rritur presionin dhe izolimin ekonomik ndaj Teheranit.
Irani prej vitesh përballet me sanksione perëndimore, të cilat ka tentuar t’i anashkalojë përmes tregtisë me vende të treta, prodhimit vendas dhe përdorimit të një “flote në hije” për transportin e naftës.