
Afati kalimtar i verës ka hyrë në fazën vendimtare, por e ardhmja e Julian Alvarezit mbetet ende për t’u përcaktuar.
Sulmuesi argjentinas është në qendër të një përplasjeje të vërtetë me Atletico Madridin, në një situatë që tashmë duket se shkon përtej aspektit thjesht sportiv.
Ish-sulmuesi i Manchester Cityt thuhet se e ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga “Los Colchoneros” dhe nuk e ka fshehur kurrë interesimin e tij për Barcelonën, që konsiderohet destinacioni i tij i preferuar.
Një qëndrim ky që përplaset me atë të drejtuesve të klubit madrilen, të cilët nuk e kanë ndërmend ta lehtësojnë një transferim të tij në Kataluni.
Atletico e ka hapur derën për një shitje vetëm drejt Arsenalit, një zgjidhje që nuk i pëlqen lojtarit.
Marrëdhënia mes Alvarezit dhe klubit spanjoll është përkeqësuar gradualisht gjatë muajve të fundit.
Tensioni u rrit pas ndeshjes kundër Villarrealit, kur argjentinasi u vërshëllye nga tifozët e “Metropolitanos” para, gjatë dhe pas takimit.
Në themel të pakënaqësisë janë edhe disa premtime të bëra në shkurt, kur lojtarit i ishte paraqitur mundësia për t’u larguar gjatë verës në rast të një oferte të përshtatshme.
Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, Alvarez nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrim dhe do të vazhdojë të shtyjë për transferimin te Barça deri në mbylljen e afatit kalimtar, përcjell “Gazeta Express”.
Një tjetër sinjal ka ardhur nga rrjetet sociale: sulmuesi e ka pëlqyer një video të publikuar në TikTok, ku ai shfaqej me fanellën “Blaugrana” dhe me festimin e tij të famshëm si “Spider-Man”.
Alvarez nuk e do Arsenalin: “Merimanga” e dëshiron vetëm Barçën.