Bomba e merkatos! Milani përfshihet në garë për yllin e Liverpoolit, nisin negociatat për Elliott

13:44 | 26 Gusht 2026

AC Milan po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Harvey Elliott nga Liverpool në ditët e fundit të merkatos së verës.

Kuqezinjtë janë në kërkim të një mesfushori ofensiv që mund të luajë pas sulmuesit dhe emri i 23-vjeçarit anglez është shfaqur së fundmi në listën e objektivave.

Sipas raportimeve të fundit, ekziston një mundësi konkrete që Elliott të largohet nga Liverpool para mbylljes së merkatos, ndërsa Milani është gati të intensifikojë interesimin për të, përcjell ORAinfo.

Kuqezinjtë fillimisht kishin synuar Ethan Nwanerin, por një huazim i tij në Premier League duket më i mundshëm. Për këtë arsye, Elliott konsiderohet një alternativë më realiste për repartin ofensiv të skuadrës italiane.

Elliott, i cili u rikthye te Liverpool pas një huazimi te Aston Villa gjatë sezonit 2025/26, shihet si një lojtar me profil të përshtatshëm për Milanin. Ai mund të aktivizohet si në krahun e djathtë, ashtu edhe në qendër, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike.

Sipas burimeve të cituara në raportime, Milani ka punuar prej kohësh për këtë transferim dhe është gati të nisë negociatat konkrete. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi.

Liverpool raportohet se kërkon rreth 35 milionë euro për kartonin e Elliott, ndërsa Milani e vlerëson lojtarin në një shifër prej 20-25 milionë eurosh. Palët duhet të gjejnë një pikë të përbashkët për të realizuar marrëveshjen.

Në garë për anglezin raportohet se është edhe RB Leipzig, ndaj ditët e fundit të merkatos mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Elliott.

Milani synon të përforcojë repartin ofensiv dhe Elliott mund të jetë një nga goditjet e fundit të klubit italian në këtë merkato. /ORAinfo/

Komento: