
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur para takimit të sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin e ri të Kosovës.
Kurti ka thënë se takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur së bashku një emër për Presidentin e ri dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendit bashkërisht t’ia sjellim emrin për Presidentin e ri dhe t’i evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se palët do të jenë të hapura për procesin, por ka kërkuar që bisedimet të mbeten konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve”, ka thënë Kurti.
Para takimit me Abdixhikun, Kurti ka shprehur besim se procesi mund të përfundojë me rezultat pozitiv.
“Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, është shprehur ai.