
Sherif Hoti është i riu që humbi jetën mbrëmë në aksidentin e rëndë të trafikut në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku u përfshinë një kamion dhe një veturë, transmeton IndeksOnline.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur edhe familjarët, të cilët me dhimbje të madhe kanë njoftuar miqtë dhe të afërmit.
“Na i copëtove zemrat more djalë, shumë shpejt shkove. Nuk po arrijmë ende ta besojmë që ai aksident trafiku do të ishte beteja jote e fundit me jetën. Zoti të mëshiroftë vëllau ynë, qofsh banor i xhenetit”, thuhet në njoftimin e familjes.
Sipas njoftimit mortor, Sherif (Mursel) Hoti kishte lindur më 9 shtator 1988, ndërsa ndërroi jetë më 26 gusht 2026. Varrimi i tij bëhet sot, më 27 gusht, në orën 18:00, në varrezat e fshatit Bradash të Podujevës, te xhamia.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur mbrëmë se aksidenti ndodhi rreth orës 20:30, në kilometrin e 29-të të autostradës nga Vërmica.
Në aksident u përfshinë një kamion dhe një veturë. Si pasojë, një person mbeti pa shenja jete, ndërsa dy të tjerë pësuan lëndime dhe u dërguan për trajtim mjekësor.