
Thirrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) drejtuar prindërve që të mos blejnë paraprakisht librat shkollorë ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
MASHTI u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin deri në përcaktimin e vlerës së subvencionimit për secilin nxënës, para se të bëjnë blerjet.
Por, me fillimin e vitit të ri shkollor që është caktuar më 1 shtator, prindërit kanë shprehur pakënaqësi për vonesat dhe pasigurinë rreth blerjes së librave.
Një nga komentuesit ka ironizuar situatën me fjalët: “Tekstet shkollore o jarana se mësimi don me ja fillu e ju kërkun hiq! Qurani nuk ruhet ditën e Bajramit!”
Reagime të shumta janë bërë edhe nga prindër të tjerë, të cilët kanë kërkuar nga MASHTI që sa më shpejt të njoftojë për shumën e subvencionimit dhe procedurat për blerjen e teksteve shkollore.
Vonesat kanë shkaktuar paqartësi te familjet, veçanërisht tani kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në fillimin e mësimit. Ndërkohë, libraritë tashmë kanë nisur të nxjerrin tekstet shkollore në shitje.
Kritika ndaj MASHTI-t janë adresuar edhe nga përfaqësues të opozitës dhe njohës të arsimit, të cilët e kanë cilësuar situatën si pasojë të menaxhimit të dobët të procesit të subvencionimit.