
Kryeministri britanik Andy Burnham, në një letër drejtuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e partneritetit dhe miqësisë mes dy vendeve.
Burnham ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë një partneritet të afërt dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar mbi historinë e përbashkët.
Ai ka thënë se është krenar që vendi i tij qëndroi përkrah popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe se ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës.
Në letër, kryeministri britanik ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Londrës për aspiratat euroatlantike të Kosovës, përfshirë integrimin në institucionet ndërkombëtare dhe rrugën e saj drejt NATO-s.
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
Faleminderit për letrën tuaj pas emërimit tim si Kryeministër. Jam mirënjohës për fjalët tuaja të mira dhe urimet.
Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë një partneritet të afërt dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar përmes historisë sonë të përbashkët. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi përkrah popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe që ishim vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Nuk ka dëshmi më të qartë të përkushtimit tonë sesa vazhdimi i dislokimit të forcave britanike në kuadër të KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe përparimin e mëtejshëm në rrugën drejt NATO-s.
Shpresoj që së shpejti të formohet një qeveri e re e Kosovës, në mënyrë që të mund të thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona në çështjet me interes të përbashkët, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, tregtinë dhe investimet, luftimin e migrimit të parregullt dhe forcimin e lidhjeve ekonomike.
Si mik i afërt i Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kosovën në mbështetje të një të ardhmeje më të qëndrueshme, më të ndërlidhur dhe më të begatë për rajonin.
Ju falënderoj sërish për letrën tuaj. Mezi pres të punoj ngushtë me ju për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve tona.