KGJK suspendon gjyqtarin Avdirrahman Gashi pas arrestimit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

08:48 | 28 Gusht 2026

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka suspenduar gjyqtarin Avdirrahman Gashi pas arrestimit nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kështu raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi i Këshillit është marrë në vazhdimin e takimit të 371-të, të enjten, të mbajtur me dyer të mbyllura kur u diskutua kjo pikë e rendit të ditës.

“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit disiplinor ka themeluar panelin hetimor dhe ka vendosur për suspendimin e subjektit të hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftimin e Këshillit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 15 gusht 2026 kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Gashit. Këtë vendim më pas e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit.

Komento: