
Mbi 101 milionë euro është vlera e barnave mjekësore të importuara në Kosovë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të importit nga Dogana e Kosovës për periudhën janar–korrik 2026, të analizuara sipas kodeve tarifore 3003 dhe 3004, Kosova ka importuar barna në vlerë të përgjithshme prej 101,062,415.25 euro, raporton ORAinfo.
Në të njëjtën periudhë, pesha neto e këtyre importeve ka arritur në rreth 2.85 milionë kilogramë, ose afërsisht 2,850 tonë.
Prilli, muaji me importin më të lartë
Importi më i madh i barnave është regjistruar në prill, kur vlera e tyre arriti në 18.41 milionë euro.
Pas prillit, muajt me vlerën më të lartë të importeve ishin shkurti me 16.86 milionë euro, qershori me 14.64 milionë euro, maji me 14.27 milionë euro, korriku me 13.76 milionë euro, marsi me 13.43 milionë euro, ndërsa janari ishte muaji me vlerën më të ulët, me 9.69 milionë euro, raporton ORAinfo.
Pothuajse 90 milionë euro vetëm në një kategori
Pjesa dërrmuese e importeve është regjistruar në kodin tarifor 3004900000, i cili në dataset përshkruhet si barna të dozuara për shitje me pakicë. Vetëm kjo kategori ka një vlerë importi prej 89.94 milionë euro.
Nga cilat shtete erdhën barnat?
Gjermania dhe Sllovenia janë ndër burimet kryesore të importeve të barnave në këtë periudhë. Sipas të dhënave, nga Gjermania janë importuar barna në vlerë prej rreth 9.93 milionë euro, ndërsa nga Sllovenia rreth 9.84 milionë euro.
Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara me 9.63 milionë euro, Italia me 8.95 milionë euro dhe Turqia me 8.73 milionë euro.
Në dhjetëshen e parë të vendeve të origjinës përfshihen edhe India, Austria, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar dhe Serbia.
6.62 milionë euro TVSH
Nga importet e këtyre barnave, sipas të dhënave të deklaruara në dataset, janë mbledhur rreth 6.62 milionë euro TVSH.
Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës janar–korrik 2026, importi i barnave ka qenë i konsiderueshëm në secilin muaj, me një rritje të theksuar në muajin prill.
Të gjitha shifrat në këtë analizë janë nxjerrë nga të dhënat e importit për janar–korrik 2026, duke filtruar kodet tarifore 3003 dhe 3004. Shifrat paraqesin vlerën e mallrave të deklaruar në import dhe jo çmimin e shitjes së barnave në tregun e Kosovës. /ORAinfo/