Ryshfet deri në 300 euro për operime, aktakuzë ndaj dy mjekëve të spitalit të Vushtrrisë

14:54 | 02 Shtator 2026

Dy mjekë të Spitalit të Vushtrrisë akuzohen se kanë kërkuar dhe pranuar para nga pacientët për ofrimin e shërbimeve mjekësore, ndërsa nëntë persona të tjerë dyshohet se kanë dhënë ryshfet për operimin e familjarëve të tyre.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve me inicialet V.R. dhe E.S. për veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I pari dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar para në gjashtë raste, ndërsa i dyti në tri raste.

Të dy, në cilësinë e personave zyrtarë dhe mjekëve në Spitalin e Vushtrrisë, akuzohen se kanë marrë shuma të ndryshme parash për ofrimin e trajtimit mjekësor.

Ndërkaq, aktakuzë për “Dhënie të ryshfetit” është ngritur ndaj nëntë personave me inicialet F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K.

Ata akuzohen se, drejtpërdrejt ose tërthorazi, u kanë premtuar, ofruar apo dhënë para dy mjekëve. Shumat dyshohet se kanë qenë nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Komento: