Stuhia në Shkup detyron avionin nga Cyrihu të devijojë drejt Prishtinës

11:31 | 03 Shtator 2026

Moti i keq dhe stuhia që kanë përfshirë Shkupin kanë detyruar një avion të kompanisë zvicerane Edelweiss të devijojë fluturimin dhe të ulet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, transmeton albinfo.

Avioni ishte nisur nga Cyrihu rreth orës 18:00 dhe, sipas planit të fluturimit, pritej të mbërrinte në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit rreth orës 20:00.

Megjithatë, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në zonën e Shkupit, piloti nuk arriti të kryente uljen. Avioni qëndroi për rreth 20 minuta duke qarkulluar mbi zonë, para se ekuipazhi të merrte vendimin për ta devijuar fluturimin drejt Kosovës.

Si destinacion alternativ u zgjodh Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ku avioni u drejtua për ulje.

Një pjesë e madhe e pasagjerëve në bord janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët në vend të Shkupit do të mbërrijnë në Prishtinë për shkak të kushteve të motit.

Nuk dihet ende se kur do të jetë e mundur vazhdimi i udhëtimit të pasagjerëve drejt Shkupit, ndërsa gjithçka varet nga përmirësimi i kushteve atmosferike.

Komento: