MODRIÇ NË “ZJARR”! Amorim përballet me dilemën e madhe para Juventusit – a do ta hedhë legjendën në fushë nga minuta e parë?

15:59 | 03 Shtator 2026

Luka Modriç mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit, por mosha dhe menaxhimi i minutave po e detyrojnë trajnerin Ruben Amorim të jetë i kujdesshëm me legjendën kroate.

Rikthimi i Luka Modriçit te Milani u konsiderua si një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos së verës. Megjithatë, që në fillim ishte e qartë se roli i mesfushorit kroat do të menaxhohej ndryshe, për shkak të moshës së tij.

Para rikthimit zyrtar në Milano, ishte raportuar se Modriç do të kishte një rol të menaxhuar dhe nuk do të aktivizohej në çdo ndeshje. Deri tani, kjo qasje është parë pjesërisht, me kroatin që ka luajtur 108 minuta këtë sezon.

Megjithatë, ndikimi i tij në lojën e Milanit mbetet i padiskutueshëm, përcjell ORAinfo.

Plani për rotacionin

Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, Modriç vazhdon të konsiderohet një lojtar kyç për kuqezinjtë. Megjithatë, Amorim e di se mesfushori do të mbushë 41 vjeç pas pak ditësh dhe për këtë arsye duhet të menaxhohet me shumë kujdes.

Modriç nuk pritet të luajë në çdo ndeshje gjatë sezonit, përfshirë edhe takimet në Europa League.

Plani i Milanit është që ai të alternohet me Ardon Jasharin, i cili sezonin e kaluar ishte pranë mesfushorit kroat dhe mund të marrë më shumë përgjegjësi këtë sezon. Në këtë rol mund të përdoret gjithashtu edhe Yunus Musah, ndërsa Christian Comotto mbetet një tjetër alternativë për trajnerin.

Zhvillimi i Jasharit konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për këtë plan, pasi Milani dëshiron të ruajë freskinë e Modriçit për ndeshjet më të rëndësishme.

Juventus – testi i parë i madh

Modriç nuk ishte në nivelin e tij më të mirë në ndeshjen ndaj Venezias, ku humbi disa topa më shumë se zakonisht dhe mbuloi një hapësirë më të madhe në fushë. Megjithatë, paraqitja e tij mund të justifikohet me faktin se ishte kthyer në stërvitje vetëm pak javë më parë.

Ndaj Torinos, kroati dha një tjetër dëshmi të klasit të tij. Momentet më të mira të Milanit erdhën pikërisht kur Modriç ishte në fushë, duke treguar edhe një herë rëndësinë e tij për ekipin.

Tani, vëmendja është te përballja e së dielës ndaj Juventusit.

Amorim duhet të vendosë nëse do t’i besojë Modriçit një vend në formacionin titullar në këtë sfidë, e cila mund të ketë rëndësi të madhe për kreun e tabelës së Serie A.

Ky pritet të jetë testi i parë i madh i sezonit për Milanin dhe, në një ndeshje të tillë, përvoja dhe qetësia e Modriçit mund të jenë vendimtare.

Vendimi përfundimtar do t’i takojë Amorimit, i cili duhet të gjejë ekuilibrin mes dëshirës për ta pasur Modriçin në fushë dhe nevojës për të menaxhuar minutat e tij gjatë një sezoni të gjatë. /ORAinfo/

Komento: