
Roma dhe Milani mund të përplasen në merkaton e janarit për talentin brazilian të Real Madridit, Endrick. Sulmuesi 20-vjeçar pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në afatin kalimtar dimëror, nëse madrilenët vendosin ta lejojnë largimin e tij.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Roma po planifikon të ndërhyjë sërish në merkato pas një vere aktive, ku afroi gjashtë lojtarë të rinj: Koulierakis, Balerdi, Molina, De Roon, Rodrigo Mora dhe Castro.
Klubi italian po shqyrton disa mundësi për të përforcuar skuadrën e Gian Piero Gasperinit, ndërsa një prej objektivave që mund të rikthehet në vëmendje është pikërisht Endrick, përcjell ORAinfo.
Duel Roma-Milan për brazilianin
Roma kishte tentuar më herët të përforcojë repartin ofensiv me Luiz Henrique të Zenitit dhe Jamie Gittens të Chelsea-t, por marrëveshjet nuk u realizuan për shkak të kostove të larta.
Tani, sipas mediave italiane, drejtuesit verdhekuq po e konsiderojnë Endrickun si një alternativë të rëndësishme për merkaton e janarit.
Milani, ndërkohë, e ka ndjekur prej kohësh situatën e brazilianit. Drejtuesit kuqezi e shohin Endrickun si një lojtar me potencial të madh dhe mund ta rikthejnë interesimin nëse ai nuk merr minutat e pritshme te Real Madridi.
Megjithatë, këtë herë Milani mund të përballet me konkurrencë të fortë nga Roma.
Sipas raportimit, në ambientet e klubit kryeqytetas ekziston bindja se Endrick do të preferonte një transferim te Roma në rast se largohet nga Real Madridi në janar. Madje, braziliani thuhet se ua ka shprehur disa miqve dëshirën për t’iu bashkuar bashkëkombësit të tij, Wesley, në kryeqytetin italian.
Gjithçka varet nga Real Madridi
E ardhmja e Endrickut do të varet në masë të madhe nga minutat që do të marrë deri në janar dhe nga vendimi i Real Madridit.
Nëse klubi spanjoll hap derën për një largim, një huazim mund të jetë opsioni më i mundshëm. Në këtë rast, Roma dhe Milani pritet të jenë dy prej klubeve që do të tentojnë të sigurojnë shërbimet e sulmuesit brazilian.
Gjithashtu, pozicionimi i Romës në kampionat dhe në Champions League deri në atë periudhë mund të luajë një rol të rëndësishëm në vendimin përfundimtar të lojtarit. /ORAinfo/