7-vjeçari goditet nga vetura në Ferizaj, shoferi ikën nga vendi i ngjarjes

22:10 | 06 Shtator 2026

Një fëmijë 7-vjeçar ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur të dielën në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:27, ku janë përfshirë një automjet dhe një këmbësor.

Sipas Veselit, fëmija ka marrë tretman mjekësor dhe më pas është liruar.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksident nuk është ndalur në vendin e ngjarjes, por është larguar.

“Me datën 06.09.2026, rreth orës 19:27, në rrugën ‘Sali Çeku’ në Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku, ku të përfshirë kanë qenë një automjet dhe një këmbësor. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar një fëmijë 7-vjeçar, i gjinisë mashkullore. I njëjti ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka bërë të ditur se policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe gjetjen e automjetit dhe drejtuesit të tij.

“Drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksident nuk është ndalur në vendin e ngjarjes dhe është larguar nga aty. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe gjetjen e automjetit dhe drejtuesit të tij, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente”, ka shtuar ai.

Komento: