Rama: Granti i Qeverisë gjermane për “Pastrimin” dështoi, Murati nuk e nënshkroi

15:33 | 07 Shtator 2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me dështimin e grantit për ndërmarrjen “Pastrimi”, duke akuzuar Ministrinë e Financave se nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Financimit.

Rama ka thënë se KfW ka njoftuar për dështimin e grantit, duke pretenduar se shkak është bërë mosnënshkrimi i marrëveshjes nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“KfW ka njoftuar se granti për ‘Pastrimin’ dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit. Kaq!”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt që kishte mbështetjen e Qeverisë gjermane dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa theksoi se nevoja për zgjidhjen e problemit me mbeturinat në kryeqytet është urgjente.

“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar situatën si të rëndë, duke thënë se Komuna nuk mund të presë pafund për zgjidhjen e problemit me mbeturinat.

Rama ka bërë të ditur se Kryeqyteti ka marrë vendim për krijimin e një Ndërmarrjeje Komunale të Pastrimit, përmes së cilës synon që ta trajtojë vetë problemin.

“Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë”, ka shkruar ai.

Rama ka paralajmëruar se kjo çështje do të trajtohet me urgjencë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Situata me mbeturinat është e rëndë dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje. Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë”, ka përfunduar ai.

Komento: