
Është përfunduar sot në Prishtinë murali kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.
Me rastin e përfundimit të muralit, Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Kulturës, Isah Mustafa, së bashku me artisten OrangeGirl, e cila e ka realizuar veprën, vizituan hapësirën ku tashmë murali bëhet pjesë e peizazhit urban dhe kujtesës publike të kryeqytetit.
Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe ndërton një rrëfim vizual mbi luftën, mungesën, burgimin dhe lirinë, si pjesë e një historie që vazhdon të ketë peshë në kujtesën kolektive të Kosovës.

“Ky mural tashmë bëhet pjesë e hapësirës publike dhe kujtesës së Prishtinës. Është një kujtesë për rrugën tonë drejt lirisë, për sakrificën dhe për njerëzit që ishin pjesë e asaj rruge. Prishtina kujton dhe Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, tha Musmurati.
Portretet e realizuara në të kuqe simbolizojnë luftën, sakrificën, revoltën dhe tensionin emocional.
Siluetat e ushtarëve në pjesën e poshtme të portreteve përfaqësojnë identitetin e luftëtarit dhe kontributin e tyre për liri. Pozicionimi i tyre në vendin ku zakonisht do të ishte kravata simbolizon kalimin nga luftëtari te figura publike dhe shtetformuese, duke ndërlidhur kontributin e tyre në luftën për liri me angazhimin e mëvonshëm në ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

Teli në sfond simbolizon kufizimin, ndarjen dhe izolimin, ndërsa zogjtë që fluturojnë mbi të përfaqësojnë lirinë dhe daljen përtej barrierave fizike.
Murali është realizuar nga artistja OrangeGirl, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderon nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, për angazhimin, bashkëpunimin dhe solidarizimin e vazhdueshëm me aktivitetet e organizuara në kuadër të pritjes së vendimit për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve.