
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se pronari i restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, pranë Liqenit të Radoniqit në Gjakovë, është gjobitur dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale, pasi, sipas saj, nuk është respektuar vendimi për mbylljen e objektit.
Pacolli ka bërë të ditur se të mërkurën, me asistencën e Policisë së Kosovës, është kryer një inspektim i radhës në restorant, pasi ishte injoruar urdhri i Inspektoratit të Mjedisit për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë.
“Shteti dhe vendimet e institucioneve nuk mund të sfidohen nga askush! Ujërat dhe prona publike e Kosovës nuk mund të degradohen për interesa private, prandaj sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten pa kompromis!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas saj, procedura penale ndaj pronarit është iniciuar për shkak të vazhdimit të operimit, pavarësisht vendimit për mbyllje.
Pacolli kishte njoftuar të martën se Inspektorati i Mjedisit kishte mbyllur restorantin dhe hotelin “Liqeni i Dukagjinit”, duke pretenduar se objekti rrezikon ujin e pijshëm dhe se veprimtaria zhvillohej në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Megjithatë, nga restoranti kishin reaguar në rrjetet sociale duke thënë se dyert e tyre janë të hapura dhe se vazhdojnë aktivitetin. Më herët, biznesi kishte deklaruar gjithashtu se nuk i ishte dorëzuar zyrtarisht vendimi për mbyllje dhe kishte mohuar se kishte pranuar ndonjë konstatim zyrtar për ndotje apo dëmtim të cilësisë së ujit.