“Zhvillimet e fundit në Kuvend”, Prattipati në LDK për takim me Abdixhikun

12:28 | 10 Shtator 2026

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Gjatë takimit, LDK në një njoftim tha se Abdixhiku e Prattipati diskutuan për “zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi znj. Prattipati për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike, duke ritheksuar përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional”, thuhet në njoftim.

LDK shton se në këtë takim u diskutua edhe për “rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit, në shërbim të qytetarëve”.

“Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të këtij partneriteti”.

Komento: