
Platforma “Liria ka emër” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që më 15 dhe 16 shtator të mblidhen në Hagë, në ditët kur pritet shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në njoftimin e publikuar, “Liria ka emër” ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet holandeze, me qëllim të mundësimit të tubimit në Hagë.
“Diaspora jonë ka qenë gjithmonë pranë Kosovës. Ajo ka mbështetur rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, në ditët më të vështira dhe në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.”, thuhet në njoftim.
Sipas platformës, Kosova ndodhet përballë një tjetër momenti të rëndësishëm, ndaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të diasporës.
“Do të jemi atje për të mbrojtur të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së, lirinë tonë, pavarësinë e Kosovës dhe një trashëgimi historike në të cilën diaspora jonë ka një kontribut të jashtëzakonshëm. Prandaj, ju bëjme thirrje të gjithë bashkatdhetarëve: më 15 dhe 16 shtator, ejani në Hagë!”, thuhet tutje.
Platforma u ka bërë thirrje edhe bashkatdhetarëve që janë në punë që, nëse kanë mundësi, të marrin pushim, në mënyrë që pjesëmarrja në tubim të jetë sa më e madhe.
“Ata që punojnë, nëse kanë mundësi, le të marrin pushim. Ata që janë më larg, le të organizohen dhe të vijnë. Le të jemi bashkë në këto ditë të rëndësishme për Kosovën. Le t’ua dëshmojmë edhe një herë miqve tanë dhe gjithë botës se diaspora nuk e harron sakrificën, nuk e harron lirinë dhe nuk e harron historinë. Për detajet rreth vendit dhe orarit do t’ju njoftojmë në ditët në vazhdim. Më 15 dhe 16 shtator, Kosova dhe diaspora – bashkë në Hagë!”, thuhet në njoftim.