
Dy gra kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq që ka përfshirë Italinë, ndërsa reshjet e dendura, erërat e fuqishme dhe tornadot kanë shkaktuar dëme të shumta në disa pjesë të vendit.
Rasti më i fundit fatal është shënuar mëngjesin e sotëm në rajonin e Friulit, në verilindje të Italisë, ku një grua humbi jetën pasi u mbyt në një kalim rrugor të përmbytur, ku kishte hyrë me makinën e saj.
Ndërkohë, pak kohë më parë, në rajonin e Toskanës, një tornado shkaktoi vdekjen e një gruaje që ndodhej brenda apartamentit të saj.
Gruaja po përpiqej të mbyllte një dritare, kur xhami u thye nga fuqia e erës dhe i shkaktoi një plagë fatale në qafë.
Moti i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në kryeqytetin italian, Romë. Dhjetëra automjete janë dëmtuar nga pemët e rrëzuara, ndërsa dy stacione qendrore të metrosë janë përmbytur si pasojë e reshjeve të dendura.
Situata ka qenë e rënduar edhe në qytetin e Astit, në rajonin veriperëndimor të Piemontes. Departamenti i Zjarrfikësve ka pranuar rreth 70 thirrje dhe ka ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të apartamenteve në katet përdhese, si dhe pronarëve të dyqaneve.
Autoritetet kanë qenë në gatishmëri për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, ndërsa pas mesnatës pritet një përmirësim gradual i motit në të gjithë vendin.