
Reperi i njohur shqiptar, Mozzik, ka reaguar pas pjesëmarrjes së tij në “Marshin për Liri”, i cili u mbajt të dielën në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Pas përfundimit të marshit, Mozzik ka treguar përmes një postimi në rrjetet sociale se, pasi është kthyer në shtëpi, ka lexuar komentet në disa prej artikujve ku ishte përmendur edhe pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet.
Sipas reperit, në komentet e publikuara kishte hasur edhe në ofendime dhe reagime të rënda ndaj tij dhe familjes së tij.
Ai ka pretenduar gjithashtu se një pjesë e madhe e profileve nga të cilat ishin shkruar këto komente nuk dukeshin si profile reale.
Reagimi i Mozzik ka qenë i ashpër, teksa ai ka shprehur qëndrimin e tij të qartë në lidhje me luftën e UÇK-së dhe pjesëmarrjen e tij në marshin e mbajtur në Prishtinë.
Ai u është drejtuar atyre që, sipas tij, e kundërshtojnë luftën e UÇK-së, duke përdorur edhe akuza të forta për lidhje me Beogradin.
“Zoti ju marroftë juve që jeni kundër luftës së pastër të UÇK-së! Largohuni prej rreshtit tonë. Nuk na duheni as sot me u rreshtu me ne”, ka shkruar Mozzik.
Pjesëmarrja e tij në “Marshin për Liri” kishte tërhequr vëmendjen e publikut, ndërsa pas reagimit të fundit, reperi ka bërë të qartë se nuk është pajtuar me komentet që ka parë në rrjetet sociale.
Mozzik është një prej artistëve shqiptarë që në vazhdimësi ka shprehur qëndrimet e tij për tema që lidhen me Kosovën dhe historinë e saj, ndërsa edhe këtë herë reagimi i tij ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale./ORAinfo/

