
Mbrojtësi portugez po shkëlqen me fanellën e Lecces dhe interesimi i Milanit për të po merr sërish jetë. Kuqezinjtë ishin gati të ofronin 20 milionë euro gjatë verës, por oferta u konsiderua e pamjaftueshme.
Tiago Gabriel vazhdon të jetë një nga zbulimet më interesante të këtij sezoni në Serie A. Mbrojtësi portugez ishte sërish protagonist në fitoren 3-2 të Lecces ndaj Monzas, duke shënuar golin e tij të dytë këtë sezon.
Paraqitja e tij nuk u kufizua vetëm te goli. Gabriel tregoi edhe një herë siguri, inteligjencë dhe organizim në repartin defensiv, duke u shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës nga Salento.
Statistikat e tij në Serie A janë gjithashtu mbresëlënëse. Ai regjistron mesatarisht 2 ndërhyrje të fituara, 0.8 interceptime, 1.5 topa të rikuperuar, 0.3 goditje të bllokuara dhe vetëm 0.5 driblime të lejuara për ndeshje, ndërsa mesatarisht kryen 3.8 ndërhyrje defensive për takim. Deri tani, ai nuk ka bërë asnjë gabim që ka çuar direkt në gol të kundërshtarit, përcjell ORAinfo.
Milan e kërkoi gjatë verës
Interesimi i Milanit për Gabriel nuk është i ri. Drejtori sportiv i Lecces, Trinchera, kishte konfirmuar pas mbylljes së merkatos se klubi kishte marrë një ofertë nga një skuadër e madhe për mbrojtësin.
“Kushtet nuk ishin të duhura për të përfunduar një marrëveshje që do të ishte e favorshme për klubin. Jemi një klub solid dhe mund ta përballojmë luksin për të mos shitur një lojtar kyç”, deklaroi Trinchera.
Ai shtoi se kishte biseduar me Gabriel dhe me agjentin e tij, Jorge Mendes, duke theksuar se të dyja palët janë të përkushtuara ndaj Lecces.
Sipas raportimeve, Milan ishte gati të paraqiste një ofertë prej rreth 20 milionë eurosh, por kjo shumë nuk mjaftoi për të bindur klubin italian.
Gara mund të rinisë në janar
Tani situata mund të ndryshojë në merkaton e janarit. Milan pritet të rikthehet në kërkim të një mbrojtësi që mund të luajë në disa pozicione në një formacion me tre qendërmbrojtës.
Emra si Gonçalo Inácio dhe madje edhe Ruben Dias janë përmendur si objektiva, por marrëdhëniet e mira të Milanit me Jorge Mendes dhe agjencinë Gestifute mund të favorizojnë një lëvizje për Tiago Gabriel.
Megjithatë, një transferim për më pak se 30 milionë euro duket gjithnjë e më pak i mundshëm, sidomos pas fillimit të shkëlqyer të sezonit nga portugezi.
Lecce nuk ka ndërmend të bëjë ulje. Klubi po shqyrton gjithashtu aktivizimin e një klauzole për rinovimin automatik të kontratës së Gabrielit për dy vite të tjera, çka do ta zgjaste marrëveshjen deri në vitin 2029.
Lecce e di mirë se ka në duar një talent të madh dhe dëshiron ta mbajë sa më gjatë. Nëse Milani apo ndonjë klub tjetër dëshiron shërbimet e Tiago Gabriel, do të duhet të përballet me kërkesat financiare të klubit italian. /ORAinfo/