
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin me pagesë të një zyrtari policor të Stacionit Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën dyshimin për veprime të kundërligjshme lidhur me 105 euro.
Rasti është referuar në IPK nga Policia e Kosovës më 14 shtator, ndërsa sipas hetimeve fillestare, më 9 shtator një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e shumës së parave.
Nga shqyrtimi i pamjeve të kamerave të sigurisë është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare kosovare me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar ato një zyrtari policor.
Sipas IPK-së, zyrtari ka pranuar se i kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale. Paratë më vonë, sipas shkresave të rastit, ai i kishte vendosur në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në aeroport.
IPK ka vlerësuar se ekziston dyshim i arsyeshëm dhe, për të siguruar zhvillimin e papenguar të hetimeve, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit.
Hetimet po zhvillohen në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, ndërsa hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë, do të ndërmarrin veprime të tjera për ndriçimin e plotë të rastit.