
Pas verdiktit të sotëm ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ka reaguar edhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Ajo ka bërë dy postime në InstaStory. Në njërin prej tyre ka publikuar një fotografi të logos së UÇK-së, të shoqëruar me hashtagun “Liria ka emër”. Në postimin tjetër ajo ka shpërndarë një fotografi që pasquron të dhënat lidhur me viktimat e luftës në Kosovë, përfshirë fëmijët e vrarë, gratë e dhunuara dhe mijëra njerëzit që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre si refugjatë gjatë luftës.
Këngëtarja shqiptare është në mesin e figurave të shumta të njohura që kanë reaguar ndaj verdiktit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Mes tyre është edhe Rita Ora, e cila ndër vite ka qenë një zë i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Dua Lipa, prej vitesh, ka përdorur ndikimin e saj për të promovuar Kosovën dhe Shqipërinë në skenën ndërkombëtare. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo nuk ka hezituar të flasë për vendlindjen e saj, ndërsa në intervista të shumta ka folur edhe në gjuhën shqipe.
Ngjashëm, edhe Rita Ora ka kontribuar ndër vite në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo njihet gjithashtu si Ambasadore Nderi e Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë ditës së sotme kanë shpallur dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, Rexhep Selimi me 13 vjet, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim.
Verdikti ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa është cilësuar nga disa prej tyre si “skandaloz”. Shumë qytetarë dhe figura publike kanë shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim ndaj vendimit.
