
Gjatë ditës së sotme është mbajtur protesta e radhës pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
E pas protestës përmes një njoftimi për media, Policia ka njoftur për mbarëvatjen e protestës.
Sipas Policisë protesta ka qenë e qetë dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë, përderisa njësitë policore kanë vazhduar me detyra sipas planifikimeve operacionale.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, lidhur me protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës – UÇK-së, e cila ka filluar sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ashtu siç ka paralajmëruar me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.
Policia e Kosovës, duke e njohur të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, sipas detyrës zyrtare është angazhuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe vet protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa incidente.
Mijëra protestues pas tubimit dhe pas mbajtjes së disa fjalimeve, përmes të cilave janë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, në orën 12:40 protesta ka përfunduar e qetë dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë, përderisa njësitë policore kanë vazhduar me detyra sipas planifikimeve operacionale.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktiviteteve vazhdojnë të mbesin prioritet i Policisë së Kosovës.