
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të marrë masa ndaj Donika Gërvallës dhe Liburn Aliut, duke i akuzuar ata për veprime dhe deklarata lidhur me rastin e Gjykatës Speciale.
Kërkesa e Gucatit është bërë në kuadër të protestës së mbajtur sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku protestuesit kërkuan, ndër të tjera, edhe largimin e Gërvallës nga institucionet.
Pas këtyre kërkesave ka reaguar kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i cili ka dalë në mbrojtje të Gërvallës.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Partia Guxo e respekton të drejtën për protestë, por do të kundërshtojë çdo përpjekje për, siç e ka quajtur ai, “stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin” e Donika Gërvallës.
“Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
“Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të marrë kundërshtimin tonë më të ashpër”, ka shkruar Peci.
Ai ka përmendur edhe historinë e familjes së Gërvallës dhe kontributin e saj në çështjen kombëtare.
“Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur ‘Jusuf Gërvalla’) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe”, ka deklaruar ai.
Peci ka bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj Gërvallës.
“Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë! Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!”, ka shkruar Peci.