
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas organizimit për herë të parë të “Albanian Festival” në Staten Island.
Kurti ka thënë se dashuria për Amerikën mund të bashkëjetojë me dashurinë për vendin prej nga vjen familja, ndërsa ka vlerësuar ruajtjen e gjuhës shqipe si një përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.
“Mund ta duash Amerikën dhe njëkohësisht ta duash fort vendin prej nga vjen familja jote, pasi që identiteti shqiptar jo domosdo humbet duke u integruar në shoqërinë amerikane”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se ruajtja e gjuhës shqipe është një nga përgjegjësitë më të mëdha ndaj brezave të ardhshëm, duke përmendur kontributin e shqiptarëve në diasporë, veçanërisht në SHBA.
Sipas Kurtit, festivali në Staten Island bashkoi komunitetin shqiptar përmes muzikës dhe ushqimeve tradicionale, duke krijuar një hapësirë ku takohen gjenerata të ndryshme të shqiptarëve në Amerikë.
“Festivale të tilla i bashkojnë gjeneratat, ata që erdhën të parët dhe ata që kanë lindur këtu”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur gjithashtu kontributin e familjeve shqiptare në jetën e New York-ut, duke thënë se fëmijët e tyre janë të suksesshëm në fusha si biznesi, mjekësia, teknologjia, universitetet, administrata dhe shërbimi publik.
Në fund, ai ka vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në SHBA në raport me Kosovën.
“Për Kosovën, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë shumë më tepër se një diasporë. Ka qenë zë i fuqishëm, mbështetje e vazhdueshme dhe urë lidhëse me Amerikën”, ka shkruar Kurti.