
Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe thirrjeve të vazhdueshme për mbështetjen e produkteve vendore, mallrat serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun kosovar.
Të dhënat për periudhën janar-gusht 2026 tregojnë se Kosova ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 154.28 milionë eurosh, rporton ORAinfo.
Në janar, vlera e importeve nga Serbia ishte rreth 10.37 milionë euro. Në muajin pasues, shkurt, kjo shifër u rrit ndjeshëm, duke arritur në rreth 17.46 milionë euro.

Rritja vazhdoi edhe në mars, kur importet nga Serbia arritën në rreth 21.22 milionë euro. Në prill, vlera ishte edhe më e lartë, rreth 21.91 milionë euro, duke shënuar një nga nivelet më të larta gjatë kësaj periudhe.
Gjatë majit, në Kosovë hynë mallra nga Serbia në vlerë prej rreth 20.63 milionë eurosh, ndërsa në qershor importet arritën në rreth 20.72 milionë euro.
Në korrik, importet nga Serbia shënuan rreth 21.83 milionë euro, ndërsa në gusht vlera ishte rreth 20.15 milionë euro.
Pra, përveç janarit dhe shkurtit, kur vlera e importeve ishte më e ulët, nga marsi deri në gusht importet mujore nga Serbia u mbajtën mbi 20 milionë euro.
Në total, gjatë tetë muajve të parë të vitit, Kosova ka importuar nga Serbia 154.28 milionë euro mallra. Kjo tregon se, pavarësisht përplasjeve politike, thirrjeve për bojkot dhe debateve të vazhdueshme rreth produkteve serbe, tregtia mes dy vendeve vazhdon të jetë aktive.
Shifrat ngrenë një tjetër pikë diskutimi: ndërsa në planin politik marrëdhëniet Kosovë-Serbi mbeten të tensionuara, në raftet e dyqaneve dhe në tregtinë e përditshme produktet serbe vazhdojnë të kenë konsumatorë në Kosovë.
Vetëm në tetë muaj, mbi 154 milionë euro kanë dalë nga Kosova për blerjen e mallrave nga Serbia – një shifër që tregon se thirrjet për konsum të produkteve vendore dhe distancim ekonomik nga Serbia nuk janë përkthyer në një ndërprerje të tregtisë. /ORAinfo/