
Hansi Flick duket se ka gjetur zgjidhjen taktike për repartin e dëmtuar të mbrojtjes së Barcelonës. Andreas Christensen do të mungojë për më shumë se një muaj e gjysmë, pasi pësoi një dëmtim në ndeshjen ndaj Sevillas.
Sipas gazetës spanjolle Sport, mbrojtësi i ri ganez Hafiz Gariba, 19 vjeç, është shfaqur si një kandidat serioz për ta përforcuar ekipin e parë. Ai ka shkëlqyer me skuadrën rezervë të Barcelonës, duke mbajtur portën e paprekur në secilën prej tri ndeshjeve të para të kampionatit.
Rrugëtimi i Garibas ngjan me një skenar filmi. Ai e nisi rrugëtimin në rrugicat e varfra të Akrës, përpara se të zbulohej nga fondacioni “Marcet”.
Pengesat burokratike ia pamundësuan që t’i bashkohej menjëherë ekipit të parë pas mbërritjes në Spanjë, ndaj ai luajti për “Codolarin” në kategorinë e katërt të futbollit katalunas.
Ndonëse niveli nuk ishte i lartë, paraqitjet e tij mbresëlënëse tërhoqën vëmendjen e skautëve të dy gjigantëve spanjollë. Real Madridi dhe Barcelona dërguan skautët e tyre për ta ndjekur Gariban dhe, sipas Sport, në të njëjtën kohë paraqitën oferta zyrtare për transferimin e tij.
Barcelona e fitoi këtë garë falë një lëvizjeje të shpejtë. Drejtuesi i akademisë, Toni Hernandez, veproi menjëherë, e bindi lojtarin për projektin katalunas dhe e kompletoi transferimin e tij te “La Masia”. Kështu, drejtuesit e Real Madridit mbetën duarthatë në këtë garë.
Sport vëren se Gariba e la pas edhe një fillim të pafat të verës, kur një virus i papritur i kushtoi një vend në grumbullimin e Anglisë. Pas rikuperimit, ai e riktheu formën dhe u shndërrua në një prej shtyllave të padiskutueshme të skuadrës rezervë.
Forma e tij nuk kaloi pa u vënë re as nga Flicku. Trajneri gjerman i njeh mirë cilësitë e mbrojtësit, ndërsa stili i tij bazohet në një mbrojtje agresive dhe të lartë, që kërkon mbrojtës me shpejtësi të madhe për t’u kthyer prapa dhe për të mbuluar hapësirat e krijuara pas vijës së mbrojtjes, pikërisht një prej cilësive më të spikatura të Garibas.