Raphinha – Barcelona, lajm jo i mirë nga Spanja

18:17 | 23 Shtator 2026

Barcelona dëshiron ta blindojë Raphinhan me një kontratë të re, jo vetëm për shkak të formës së jashtëzakonshme që po kalon braziliani.

Megjithatë, negociatat mund të bëhen më të komplikuara dhe më të kushtueshme për klubin katalanas për shkak të një ndryshimi të mundshëm në përfaqësimin e lojtarit.

Sipas gazetës spanjolle Sport, 29-vjeçari po planifikon të nisë bashkëpunimin me Ali Barat si këshilltarin e tij të ri. Raphinha prej disa vitesh nuk është përfaqësuar nga ndonjë agjent dhe negociatat për kontratat i ka zhvilluar personalisht.

Afrimi me Baratin dhe agjencinë e tij, Epic Sports Football, vjen pikërisht në një moment kur Barcelona dhe futbollisti po negociojnë për rinovimin e kontratës.

Mediat spanjolle kishin raportuar më herët se marrëveshja mes palëve ishte pothuajse e përfunduar dhe kishin mbetur vetëm disa detaje për t’u sqaruar.

Megjithatë, përfshirja e një këshilltari të ri mund të bëjë që negociatat të rihapen nga fillimi. Në futboll nuk janë të rralla rastet kur lojtarët ndërrojnë përfaqësues gjatë bisedimeve për kontratë, me synimin për të siguruar kushte më të mira financiare.

Për këtë arsye, rinovimi i Raphinhas mund t’i kushtojë Barcelonës më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Braziliani raportohet se aktualisht përfiton rreth 16.5 milionë euro bruto në sezon, ndërsa kontrata e tij me klubin katalanas është e vlefshme deri në vitin 2028.

Në të kaluarën, Raphinha ka deklaruar disa herë se dëshira e tij është që ta përfundojë karrierën si futbollist i Barcelonës.

Raphinha po shkëlqen me gola

Këtë sezon, Raphinha është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Pas largimit të Robert Lewandowskit si lojtar i lirë dhe pasi Atletico Madrid nuk tregoi gatishmëri për të negociuar për Julian Alvarez, braziliani ka marrë një rol edhe më të rëndësishëm në repartin ofensiv dhe deri tani ka bindur plotësisht.

Në tetë ndeshje zyrtare, Raphinha ka realizuar plot 14 gola, ndërsa ka dhënë edhe tri asistime.

Në LaLiga, ai kryeson bindshëm renditjen e golashënuesve, përpara Sergio Camellos të Rayo Vallecanos, bashkëlojtarit Lamine Yamal dhe Kylian Mbappes së Real Madridit, të cilët kanë realizuar nga shtatë gola.

Komento: