PDK mbështet protestat e OVL-UÇK-së, fton qytetarët të bashkohen më 1 tetorit

15:55 | 24 Shtator 2026

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se mbështet protestat e thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe tubimet e qytetarëve në Kosovë dhe diasporë kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një reagim të publikuar të enjten, PDK ka thënë se protestat e nesërme, të cilat pritet të zhvillohen në komuna të ndryshme të Kosovës, paraqesin shprehje të zërit qytetar.

“PDK e konsideron të domosdoshëm respektimin e zërit të qytetarëve, të cilët përmes këtyre protestave po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi”, thuhet në reagimin e partisë.

PDK ka vlerësuar gjithashtu protestat që, sipas saj, janë zhvilluar gjatë dhjetë ditëve të fundit në Kosovë, si dhe tubimet e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi dhe vende të ndryshme të Evropës.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës, për dhjetë ditë me radhë, përcjell një mesazh të qartë nga protestuesit se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës”, deklaroi PDK.

Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë edhe në protestën e paralajmëruar nga platforma “Liria ka emër”, e cila, sipas njoftimit të PDK-së, do të mbahet më 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“PDK i fton qytetarët që të marrin pjesë masivisht edhe në protestën e thirrur nga platforma ‘Liria ka emër’, më 1 tetor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

PDK ka kërkuar njëkohësisht që institucionet e Kosovës dhe subjektet politike t’i trajtojnë me seriozitet hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qytetarët që protestojnë”, ka theksuar partia.

Në fund, PDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, prioritet mbetet edhe votimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Komento: