Haxhiu: Po bëhen përpjekje që opinioni i Ministrisë për projektligjin e Speciales të dërgohet në Kuvend brenda kësaj jave

21:13 | 01 Tetor 2026

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu,ka thënë se qeveria pritet ta dërgojë opinionin mbi Dhomat e Specializuara të Hagës në Kuvend brenda kësaj jave.

“Sa i përket kësaj çështjeje, ju keni pasur mundësi që të ndiqni konferencën e kryeministrit Kurti. Tashmë, sipas kryeministrit Kurti, qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinonin. Ju e dini që qeveria sipas rregullores administrative ka 30 ditë në dispozicion. Me aq sa ne kemi qenë në komunikim ata po bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni të drejtohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për legjislacion dhe komisionet e tjera të Kuvendit të Kosovës”, shtoi Haxhiu.

Ndër të tjera Haxhiu foli edhe për katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke deklaruar se, sipas saj, ata kanë nevojë për mbështetje institucionale.

“Ata të cilët padrejtësisht janë dënuar nga Gjykata e Hagës, pra Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kanë nevojë për mbështetjen institucionale dhe jo që t’i lëmë të vetëm në një situatë ku është e rëndë edhe për qytetarët e Republikës, edhe për Republikën e Kosovës. Për sa i përket protestave, natyrisht që për mua protestat janë shumë demokratike. Unë përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekurinë që kanë treguar; protestat kanë qenë paqësore, por po ashtu duhet të falënderoj edhe Policinë e Kosovës për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate”, shtoi ajo.

Komento: