
Kapiteni indian Smit Machchhar, i cili aktualisht po shërohet në një spital në Abu Dabi, përshkroi se si mbijetoi pas një sulmi nga bashkëpiloti gjatë një fluturimi të kompanisë FlyDubai.
Duke folur përmes një video-telefonate me kryeministrin indian Narendra Modi – një bisedë që u transmetua drejtpërdrejt në televizion – Machchhar tha të premten se e dinte që duhej të ngrihej sërish në këmbë për të shpëtuar pasagjerët në bord.
Duke folur nga spitali me një fashë në kokë dhe tuba oksigjeni në hundë, ai kujtoi momentet pasi bashkëpiloti e goditi me thikë dhe avioni filloi të binte me shpejtësi drejt tokës.
“Kisha shumë plagë. Rashë përtokë,” tha ai, ndërsa u përfshi nga emocionet teksa fliste për sulmin.
Piloti i tha Modit se, në ato momente, e kuptoi që jeta e pasagjerëve varej nga kthimi i tij te komandat e avionit.
“Po luftoja për jetën time. Në një moment, kuptova se nëse nuk ngrihesha, pasagjerët do të humbnin jetën,” tha ai.
Machchhar, me origjinë nga Mumbai, u plagos rëndë në sulmin e së mërkurës, por arriti të hapte derën e kabinës së pilotit. Kjo u mundësoi pasagjerëve të hynin dhe ta neutralizonin sulmuesin ndërsa avioni Boeing 737 po humbiste shpejt lartësinë, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve izraelite.
Fluturimi, që transportonte 182 persona, po kryhej nga Dubai në drejtim të Tel Avivit; pas incidentit, avioni u devijua drejt Tabukut në Arabinë Saudite veriperëndimore, ku kreu një ulje emergjente.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmuesi, një shtetas i Omanit, ishte arrestuar në Arabinë Saudite dhe po merrej në pyetje atje. Machchhar tregoi se gjatë momenteve më të vështira, ai recitonte “Hanuman Chalisa” – një himn hindu kushtuar hyjnisë Hanuman, i cili tradicionalisht këndohet si lutje për forcë dhe guxim.
“Hanumani më dha guxim,” i tha piloti Modit.
Sipas profilit të tij në LinkedIn, Machchhar është i martuar, ka dy fëmijë dhe punon për FlyDubai prej rreth katër vitesh. Para kësaj, ai kaloi 11 vite me kompaninë indiane me kosto të ulët SpiceJet, ku shërbeu si komandant i lartë dhe kapiten trajnues, duke grumbulluar mbi 9,750 orë fluturimi.