Gjini: Shkarkimi i kryeprokurorit të Speciales edhe një hap i madh drejt totalitarizmit

19:28 | 02 Tetor 2026

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Gjini e ka cilësuar shkarkimin e Isufajt si një nga veprimet më të gabuara, sipas tij, të pushtetit aktual.

“Kosova bëri edhe një hap të madh drejt totalitarizmit. Tashmë, për herë të parë që prej kohës së komunizmit, Kosova qeveriset nga një kastë me tipare të pastra të një regjimi totalitar”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Kreu i AAK-së ka vazhduar kritikat ndaj pushtetit, duke iu referuar edhe sloganit të përdorur më herët për luftimin e korrupsionit.

“Nga slogani ‘hajnat në burg’ përfundoi te ‘hajnat nën mburojën e pushtetit’”, ka shkruar ai.

Gjini është shprehur se Kosova ka njerëz të ditur dhe patriotë dhe se, sipas tij, qytetarët do ta rikthejnë qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit.

“Kosova ka mjaftueshëm njerëz të ditur dhe patriotë. Populli i Kosovës do ta rikthejë qeverisjen demokratike e të përgjegjshme dhe do ta rivendosë sundimin e ligjit. Por kjo duhet të ndodhë shpejt. Koston e kësaj mënyre të qeverisjes për një kohë do ta paguajnë qytetarët tanë”, ka deklaruar Gjini.

Në fund të reagimit, ai ka përdorur tone të ashpra ndaj pushtetit.

“Por kjo kastë do të përfundojë keq, pashmangshëm”, ka përfunduar Gjini.

Komento: