
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se ende mbetet e mundshme arritja e një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për zgjedhjen e presidentit, ndërsa është shprehur optimist se nesër në Kuvend do të votohet projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas mbledhjes së përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se negociatat mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) deri tani nuk kanë rezultuar me sukses.
“Po tema kryesore është aprovimi i këtij ligji, tema e rëndësishme, dhe normalisht për shkak se me datën 6 është afati i fundit, dita kur duhet të zgjidhet presidenti. E dimë që ka pasur negociata mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri më tani të paktën nuk kanë rezultuar me sukses dhe mbetet si opsionale e mundshme me pasur një marrëveshje mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një president me marrëveshje”, tha Hamza.
Ai tha se termi “president konsensual” nuk është i saktë nëse nuk ka pajtim nga të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvend.
“Disa të tjerë po thonë konsensual, po unë po them me marrëveshje se konsensual duhet të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvend që të ketë vendi president. Unë konsideroj që është e nevojshme, është e dobishme për vendin, që vendi të ketë president. Dhe mos të shkojmë në zgjedhje, se nuk ka asnjë arsye”, deklaroi ai.
Sipas Hamzës, në rast të arritjes së marrëveshjes, votat do të siguroheshin përmes një dakordimi mes LVV-së dhe PDK-së.
“Dhe nëse arrihet marrëveshja, atëherë numrat janë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Unë çka jam i sigurt, në të gjitha takimet që i kam pasur, se Partia Demokratike e Kosovës do të ketë votë të unifikuar për marrëveshjet të cilat mund të arrihen”, tha ai.
Hamza foli edhe për projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili pritet të jetë në rend dite në seancën e nesërme të Kuvendit.
Ai tha se iniciativa, e propozuar nga PDK-ja dhe e mbështetur edhe nga Qeveria, tashmë i ka plotësuar kushtet për procedim në Kuvend.
“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus dhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Hamza.
Ai e cilësoi projektligjin si të rëndësishëm për, siç tha, vendosjen e drejtësisë.
“Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendoset drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së kritikoi procesin në Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se deri tani ka pasur mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje.
“Dhe deri më tani, çfarë kemi pa në proces: Kemi pa mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, tha Hamza.
Ai kërkoi që vendimet të bazohen në fakte dhe prova, ndërsa kundërshtoi atë që e cilësoi si “sajesa” në proceset gjyqësore.
“Nuk mund dhe nuk qëndron ndërmarrja e përbashkët kriminale. Ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk mundën me u gjykuar njerëzit për krimet që s’i kanë bërë. Krimet duhet me u faktuar”, theksoi ai.
Hamza tha se PDK-ja nuk është kundër hetimit të krimeve dhe të drejtës së viktimave, por kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar procesi.
“Por po vendosim mekanizma, po vendosim me e kthyer brenda normave juridike dhe ligjore”, tha ai.
Hamza ka përsëritur edhe qëndrimin e PDK-së se zgjidhja e ngërçit institucional duhet të nisë me miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në të dy leximet.
“Ne po themi të aprovohet ligji në të dy leximet. Pastaj të propozohet emri për president dhe të zgjidhet presidenti, e të shmangen zgjedhjet”, deklaroi Hamza.
Ai tha se qëndrimi i PDK-së lidhet, sipas tij, me interesin institucional të vendit.
“Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së shtoi se nëse subjektet e tjera politike zgjedhin një qasje që e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, përgjegjësia për një zhvillim të tillë, sipas tij, u takon atyre.