Albulena Haxhiu e ashpër në Kuvend: UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja

15:09 | 05 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu i është përgjigjur ashpër kërkesës së kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së Arian Tahiri që Projektligji për Dhomat e SPecializuara të kalojë në lexim të dytë.

Haxhiu tha se ndryshimi i qëndrimit të PDK-së erdhi vetëm pak kohë pasi, sipas saj, ishte arritur një dakordim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Haxhiu tha se e kupton rëndësinë e çështjes dhe se dakordimi ishte që, pas takimit ndërmjet Kurtit dhe Hamzës, të mund të arrihej një marrëveshje për këtë çështje.

“E kuptojmë rëndësinë e çështjes, dakordimi ishte pas takimit ndërmjet kryetarëve përkatësisht të Vetëvendosjes, Kryeministrit Kurti dhe Bedri Hamzës, kryetarit të PDK-së, pastaj mund të vijë me një dakordim për çështjen në fjalë. Kështu ishte marrëveshja, kjo u bë para shefave të grupeve parlamentare dhe nuk e kuptoj si ka mundësi pa kaluar pak kohë, si me thënë, shumë pak prej kohës kur jemi marrë vesh, vini dhe e ndryshoni qëndrimin”, tha Haxhiu.

Ajo i bëri thirrje PDK-së që të takohet me partitë e tjera dhe të arrijë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar këtë çështje si urgjente, veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së.

“Unë ju inkurajoj që për shkak pikërisht të urgjencës që kemi, sensitivitetit, pra ndjeshmërisë pas vendimit të 16 shtatorit, është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president, sepse ne mund të votojmë ligjin. Por ata atje, nëse ne shkojmë në zgjedhje, mbesim vetëm”, tha ajo.

Haxhiu kërkoi që partitë të takohen dhe të merren vesh, duke paralajmëruar se Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje për herë të dytë për shkak të moszgjedhjes së presidentit.

“Prandaj unë sot ju ftoj, edhe si kryetare e Kuvendit, edhe si ushtruese e detyrës së presidentes, takohuni, merruni vesh dhe ejani në seancë. Nuk ka më të rëndësishme, po e përsëris, se presidenti jo për shkak të emrit të përveçëm, por nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për herë të dytë për shkak të presidentit”, deklaroi Haxhiu.

Ajo e cilësoi këtë si papërgjegjësi ndaj qytetarëve dhe kërkoi që deputetët të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë që kanë.

“Është papërgjegjësi, është moskokëçarje në raport me përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra ju lutem, që të veproni në përputhje me përgjegjësitë. Mos i vendosni as deputetët e Kuvendit në një situatë të tillë”, tha ajo.

Haxhiu më pas kritikoi propozimin e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se nuk është e nevojshme që situata aktuale dhe emocionet e protestuesve jashtë Kuvendit të përdoren për të shtyrë propozime të tilla.

Ajo kërkoi tërheqjen e propozimit dhe tha se, për shkak të respektit, ia kishte dhënë fjalën Tahirit që ta paraqiste qëndrimin e PDK-së.

“S’keni nevojë me pas pronësi mbi UÇK-në. Prandaj ju lutem, që të tërhiqeni nga ky propozim”, tha Haxhiu.

Në fund, ajo u shpreh optimiste se partitë mund të gjejnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.

Komento: