
Kryeministri Albin Kurti të shtunën ka takuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me të cilën ka thënë se ka kënaqësi përherë kur e pret në zyrë.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka teguar se ndër të tjera me Tërnavën në këtë takim ka folur edhe lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Kreu i ekzekutivit vendimin e Speciales për dënimin e ish-krerëve të UÇ-së e ka quajtur të padrejtë dhe pasaktë, ndërsa ka thënë se duhet punë për të pasur sukses në apel.
“Diskutuam për bashkëpunimin e mirë dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin e humanitetin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare, situatën e dinamikat politike në rajon e më gjerë, por edhe për aktgjykimin e padrejtë dhe të pasaktë në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e për punën që na pret për sukses në apel”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës me 6 tetor miratoi projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.
88 deputetë vota votuan për. Ata të LDK-së nuk morën pjesë në votim.
Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ai është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Por deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka insistuar se Ligji i ri për Specialen është në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare.
Kurse, kryeministri Albin Kurti më 8 tetor, i pyetur nga gazetarët ka injoruar pyetjet për kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Ligjit për Specialen.
Ndryshimet kryesore janë:
Dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet burgim.
Të lejohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales.
Dënimet të mund të vuhen në Kosovë, në vend që të vuhet domosdoshmërisht jashtë vendit.
Presidenti i Kosovës të ketë mundësi të japë amnisti për persona të dënuar nga Dhomat e Specializuara.
Kujtojmë se Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte. /Reporteri