17 v’rasje në Kosovë nga janari deri në shtator

08:43 | 13 Tetor 2026

Brenda vetëm dy ditësh, Gjilani u trondit nga dy ngjarje të rënda, ku humbën jetën tre persona. Dy vrasje brenda pak orësh kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë dhe dhunën në vend.

Ngjarja e parë ndodhi të premten në Livoç të Ulët, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj. Pas krimit, ai u dorëzua në polici, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Vetëm dy ditë më vonë, të dielën, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi këtë komunë. Në fshatin Pogragjë, një baba dyshohet se i mori jetën djalit të tij. I dyshuari ndodhet ende në arrati.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 17 raste të vrasjeve, prej tyre 12 raste të cilësuara si vrasje të rënda dhe dy raste të vrasjes nga pakujdesia.

Ndërkohë, gjatë gjithë vitit 2025, në Kosovë ishin regjistruar gjithsej 17 vrasje.

Humbja e jetëve në rrethana të tilla mbetet një shqetësim serioz për shoqërinë dhe institucionet e sigurisë në vend, ndërsa parandalimi i dhunës dhe trajtimi me kohë i konflikteve vazhdojnë të jenë sfida të rëndësishme.

Komento: