Wizz Air përgjysmon fluturimet nga Prishtina drejt Hamburgut e Berlinit

16:29 | 13 Tetor 2026

Wizz Air do të reduktojë frekuencat e fluturimeve nga Prishtina drejt Hamburgut dhe Berlinit gjatë sezonit dimëror 2026/2027.

Sipas planifikimeve të raportuara, fluturimet nga Prishtina drejt Hamburgut do të realizohen dy herë në javë, në vend të katër herëve sa ishte planifikuar fillimisht.

E njëjta vlen edhe për linjën drejt Hahn-it, ndërsa fluturimet drejt Berlinit do të reduktohen nga tri në dy herë në javë.

Ndryshimet janë pjesë e rishikimit të kapaciteteve të Wizz Air për sezonin dimëror, në një kohë kur kompania po përshtat operacionet për shkak të rritjes së kostove dhe pasigurive në industrinë e aviacionit.

Ndryshimet do të prekin edhe disa tregje të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Beogradin, Shkupin dhe Tuzllën

Në Beograd, Wizz Air do të pezullojë përkohësisht fluturimet drejt Madridit nga 8 janari deri më 29 mars. Linja do të vazhdojë të operojë tri herë në javë gjatë nëntorit dhe dhjetorit, përpara se të ndërpritet përkohësisht gjatë muajve të dimrit.

Kjo linjë u inaugurua më 28 tetor të vitit të kaluar dhe konkurron drejtpërdrejt me kompaninë Air Serbia. Gjatë periudhës janar-gusht, Wizz Air transportoi 45.137 pasagjerë në këtë linjë, me një nivel mesatar të mbushjes së ulëseve prej 90,8 për qind.

Përveç Madridit, reduktime të frekuencave priten edhe në disa linja të tjera nga Beogradi, kryesisht nga janari deri në mars. Ndër destinacionet e prekura janë Dortmundi, Beauvais, Bergamo dhe Barcelona. Gjithashtu, kompania do t’i ndërpresë fluturimet mes Beogradit dhe Friedrichshafenit në përfundim të sezonit veror.

Në Shkup, kompania do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës për të gjithë sezonin dimëror. Fluturimi i fundit është planifikuar për 23 tetor, ndërsa shërbimet pritet të rifillojnë më 31 mars.

Wizz Air nuk do ta operojë më as linjën Shkup–Lion, e cila tashmë është ndërprerë. Ndërkohë, reduktime të frekuencave do të ketë edhe në linjat drejt Baden-Badenit, Shtutgartit, Pragës, Madridit, Hamburgut, Friedrichshafenit, Barit, Stokholmit, Londrës Luton dhe Bolonjës. Në rastin e Bolonjës, fluturimet do të reduktohen në vetëm një herë në javë gjatë një pjese të sezonit dimëror.

Edhe në Tuzëll, Wizz Air do të pezullojë fluturimet drejt Larnakës gjatë sezonit dimëror. Shërbimet në këtë linjë pritet të rifillojnë më 30 mars.

Komento: