Luis Enrique synon të barazojë rekordin e Real Madridit: PSG drejt historisë në Champions

20:28 | 13 Tetor 2026

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, beson se skuadra e tij ka cilësinë e nevojshme për ta fituar Ligën e Kampionëve për herë të tretë radhazi dhe për të arritur një sukses që deri më tani e ka realizuar vetëm Real Madridi.

PSG ka triumfuar në dy edicionet e fundit të garës më të rëndësishme evropiane për klube nën drejtimin e trajnerit spanjoll, i cili gjithashtu ka fituar tri tituj të Ligue 1 dhe dy Kupa të Francës me gjigantin parisien.

Pavarësisht një fillimi jo të mirë në kampionatin francez, skuadra e Luis Enriques ka reaguar duke regjistruar tri fitore radhazi në Ligue 1. Në Ligën e Kampionëve, parisienët e nisën garën me një fitore bindëse 6-1 ndaj Slovan Bratislavës, ndërsa sfida e radhës do të jetë përballja me Manchester Cityn të mërkurën.

Real Madridi mbetet skuadra e vetme që ka fituar Ligën e Kampionëve në tri sezone radhazi, duke e bërë këtë nga viti 2016 deri në vitin 2018.

Luis Enrique, i cili së fundmi ka vazhduar kontratën me PSG-në, pranon se presioni mbi të është rritur, por insiston se dëshira për të fituar trofe të tjerë mbetet e pandryshuar.

“E kam vazhduar kontratën dhe tani jam nën presion edhe më të madh për të treguar se jam gati të vazhdoj dhe se ende dëshiroj të fitoj shumë trofe të tjerë me Paris Saint-Germain”.

“E kemi fituar Ligën e Kampionëve dy herë radhazi, por kjo nuk është arsye për t’u ndalur. Jemi ndërtuar për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe kemi një motiv shtesë: të përpiqemi të arrijmë diçka që deri më tani e ka realizuar vetëm Real Madridi. Është një objektiv i veçantë”.

Ai shtoi se qëllimi kryesor që nga ardhja e tij në Paris ishte të shkruante histori me klubin, duke e cilësuar Ligën e Kampionëve si trofeun më të rëndësishëm për të dhe lojtarët.

“Të gjithë e dinin se klubi kishte fituar tashmë trofe të rëndësishëm, por për ne nuk kishte trofe më të rëndësishëm sesa Liga e Kampionëve. Për mua si trajner, ashtu si për lojtarët, dëshira për të fituar vazhdimisht është një karakteristikë thelbësore e nivelit më të lartë”, përfundoi ai.

Komento: