Aksioni në Fushë-Kosovë, Policia jep detaje: Dy persona të arrestuar – njëri kërcënoi qytetarin me armë, tjetri pengoi policinë

22:09 | 13 Tetor 2026

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar në lagjen “28 Nëntori” në Fushë-Kosovë, ku u angazhuan njësi të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe të emergjencës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjithçka nisi pasi një person i dyshuar, mashkull kosovar i nacionalitetit serb, dyshohet se nën posedimin e një arme kishte kërcënuar një qytetar.

Policia bën të ditur se i dyshuari nuk iu bind urdhrave për ndalim dhe dorëzim, por u mbyll brenda shtëpisë apo banesës së tij. Pas përpjekjeve të vazhdueshme për ta bindur që të dorëzohej në mënyrë të sigurt, njësitë policore u detyruan të hapnin derën me forcë dhe të ndërhynin brenda.

Si rezultat i operacionit, u arrestua i dyshuari për kanosje, si dhe një person tjetër, i cili ndodhej brenda në shtëpi dhe dyshohet se pengoi zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

Në operacion morën pjesë njësi të specializuara intervenuese dhe operative, njësi të rendit publik, njësia K9, si dhe institucione të tjera, përfshirë zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës.

Policia ka bërë të ditur se ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësitë relevante, ndërsa veprimet e mëtejme po ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Komento: