Prokuroria kërkon paraburgim për Gani Gecin, seanca dëgjimore mbahet sot

11:59 | 14 Tetor 2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca dëgjimore pritet të mbahet sot nga ora 13:00.

Seanca pritet të mbahet tek gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.

Geci u ndalua për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’.

Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare janë se i dyshuari Geci ka kanosur gazetarin Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Mehmetaj u intervistua si i dëmtuar.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhej në njoftim.

Mehmetaj kishte bërë një postim për deputetin e Vetëvendosjes, Fatos Geci, nip i Gani Gecit, i cili akuzonte katër ish-krerët e UÇK’së në Hagë se janë përgjegjës për 255 vrasje të “atdhetarëve shqiptarë”.

Në postimin e tij, Mehmetaj tha se tha se një shifër të tillë s’e ka dhënë as Gjykata Speciale e për më tepër as Serbia.

Gazetari Mehmetaj ka deklaruar se pas këtij statusi në Facebook, nga familja Geci i kishin shkuar në zyre për t’i kërkuar ta hiqnin postimin e më pas për t’ia ndryshuar përmbajtjen dhe se pas refuzimit të gazetarit, ata e kishin kanosur.

Një ditë më pas Mehmetaj e kishte raportuar rastin në polici. Në mbrëmje, Geci ishte arrestuar pasi kishte qëndruar me veturën e tij pranë televizionit Dukagjini ku Mehmetaj po merrte pjesë në emision në pritje të tij.

Komento: