Ndërrimi i Komandës, Presidentja: KFOR-i ka rëndësi të veçantë në arkitekturën e sigurisë së Kosovës

19:07 | 14 Tetor 2026

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ka thënë sot se në arkitekturën e sigurisë së Kosovës, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë.

Në fjalën e saj, të mbajtur në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, Presidentja Shiroka Pula ka thënë se është kënaqësi që merr pjesë në një moment të tillë të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision, i cili prej më shumë se 27 vitesh ka rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula.

Ajo më tej ka thënë se përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar dhe fuqizuar institucionet e sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve.

Sipas saj, ky zhvillim dëshmon se partneriteti ka prodhuar rezultate konkrete.

“Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999, duke shtuar se shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi.

Ajo tha se kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës.

“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula.

Ajo më tej tha se ndërrimi i komandës është një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit mes Kosovës dhe KFOR-it.

“Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula.

Në fund, Presidentja Shiroka Pula ka falënderuar KFOR-in, për shërbimin dhe për kontributin që japin çdo ditë për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Komento: