
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, dhe komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Roberto Vergori, kanë zhvilluar sot një sërë takimesh zyrtare në Kosovë me përfaqësues të institucioneve vendore.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e NATO-s u takuan me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sipas njoftimit, takimet kishin për “të çuar më tej dialogun dhe komunikimin e hapur, konstruktiv dhe transparent”.
Gjatë diskutimeve u ritheksua se optimizimi i pozicionimit është një proces që do t’u mundësojë trupave të NATO-s të ripozicionohen në zonat ku ato janë më të nevojshme.
“Ky proces varet nga kushtet në terren dhe është i kthyeshëm, nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë”.
Admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin në largim të KFOR-it, gjeneral-majorin Özkan Ulutaş, dhe komandantin e ardhshëm të KFOR-it, gjeneral-majorin Roberto Vergori, janë takuar edhe me përfaqësues të Listës Serbe dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë takimeve, u ritheksua se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar dhe se përkushtimi i tij ndaj të gjithë njerëzve dhe komuniteteve në Kosovë vazhdon të jetë i palëkundur.
Po ashtu, u theksua se siguria e qëndrueshme arrihet përmes zgjidhjeve politike dhe jo përmes masave ushtarake.
“Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin në largim të KFOR-it, gjeneral-majorin Özkan Ulutaş, dhe komandantin e ardhshëm të KFOR-it, gjeneral-majorin Roberto Vergori, u takuan me përfaqësues të Listës Serbe dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut. Gjatë diskutimeve, u ritheksua se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar dhe se përkushtimi i tij ndaj të gjithë njerëzve dhe komuniteteve në Kosovë mbetet i palëkundur. Megjithatë, siguria e qëndrueshme varet nga zgjidhjet politike dhe jo nga masat ushtarake”, u tha në njoftim.