
Protestat në Tiranë kanë vazhduar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa turma është vendosur para objektit të Kryeministrisë, ku po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të Policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe autobote me ujë, në përpjekje për ta shpërndarë turmën.
Më herët, në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se Policia do të reagojë me forcën që ia lejon ligji, duke paralajmëruar se vetëpërmbajtja e deritanishme nuk duhet të interpretohet si dobësi.
Hita ka bërë të ditur se brenda rreth 72 orëve, 71 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërkohë, studentët kanë përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga posti i tij.