
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me grevën e punëtorëve teknikë të shkollave, të cilët po kërkojnë zbatimin e pagës minimale.
Në një status në Facebook, Bajrami ka kritikuar mospërputhjen mes ndarjes së mjeteve për pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik dhe situatës së punëtorëve teknikë, të cilët, sipas saj, vazhdojnë të paguhen me 390 euro në muaj.
Ajo ka thënë se kompanitë private të kontraktuara nga komunat po vazhdojnë t’i paguajnë këta punëtorë me këtë shumë, ndonëse paga minimale prej 500 eurosh bruto ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026.
Bajrami i ka bërë thirrje Inspektoratit Qendror të Punës që të marrë masa të menjëhershme ndaj kompanive që nuk e zbatojnë vendimin për pagën minimale.
Sipas saj, në rastet kur kompanitë nuk mund t’i përballojnë kostot shtesë, ato duhet të kërkojnë zgjidhje përmes ndryshimit të kontratave me institucionet që i kanë angazhuar, por jo në kurriz të punëtorëve.
“Problemet kontraktuale asnjëherë nuk duhet të zgjidhen në kurriz të punëtorëve dhe këtë situatë s’duhet ta lejojë Inspektorati”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për ndarjen e rreth 130 milionë eurove për pagën e 13-të për sektorin publik, përmes rishikimit të buxhetit, ndërsa punëtorët që kujdesen për pastërtinë e shkollave vazhdojnë të përballen me mungesën e pagës minimale.
Ajo ka kërkuar që Qeveria të sigurojë zbatimin e vendimeve të saj, komunat të marrin përgjegjësi për kontratat që lidhin, ndërsa kompanitë private të respektojnë të drejtat e punëtorëve.
“Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë”, ka përfunduar Bajrami